USHQIM QË NDIHMON NË KRIJIMIN NATYRAL TË KOLAGJENIT NË TRUP
Kolagjeni është proteina më e rëndësishme në trupin e njeriut, me një përfaqësim prej 35% të të gjitha proteinave, është përbërësi kryesor i të gjitha indeve lidhëse, muskujve, enëve të gjakut, mundëson integritetin e indeve, elasticitetin dhe rigjenerimin e lëkurës, kockave, kyçeve dhe kërceve.
Me kalimin e kohës, nivelet ideale të kolagjenit të prodhuar në mënyrë natyrale fillojnë të ulen. Fijet e kolagjenit shpërbëhen ose nuk rigjenerohen më.
Mungesa e kolagjenit në trup rezulton me çrregullime muskulo-skeletore si p.sh:
- artriti
- osteoporoza
- ngurtësi
- strukturë organike kockore e çrregulluar
- lëndime të muskujve,
çrregullimi i sistemit imunitar dhe shfaqja e ndryshimeve fizike që lidhen me plakjen, si rrudhat, celuliti, lëkura dhe flokët humbasin shkëlqimin dhe elasticitetin.
Prandaj rekomandohet të konsumoni ushqime të pasura me kolagjen për të mbështetur shëndetin e organizmit, por edhe për të reduktuar shfaqjen e shenjave të plakjes së lëkurës.

USHQIMET QË RRISIN PRODHIMIN E KOLAGJENIT NË TRUP
Për të bërë kolagjenin, trupi sintetizon lëndë ushqyese të ndryshme nga ushqimet që hamë, duke përfshirë aminoacide (nga ushqimet e pasura me proteina), vitaminë C, zink, bakër, squfur dhe acide yndyrore omega 3.
Për të arritur nivel të shtuar të kolagjenit në trup, praktikoni ushqim të balancuar të pasur me lëndë ushqyese të nevojshme për krijimin e kolagjenit, në vend që të konsumoni vetëm pluhur kolagjeni ose kapsula.
Disa ushqime që mund të konsumoni për të rritur prodhimin e kolagjenit janë:
Supë me kocka. Lëngu i kockave është një nga burimet më të pasura të kolagjenit. Përgatitet duke zier kockat e kafshëve dhe indin lidhës, i cili çliron kolagjen, xhelatinë, glukozaminë dhe kondroitin. Këto përbërje janë të dobishme për shëndetin e kyçeve dhe lëkurës.
Mish pule. Mishi i pulës, veçanërisht pjesët me ind lidhës si krahët dhe kofshët, përmbajnë nivele të larta të kolagjenit.
Vezë. Vezët përmbajnë kolagjen dhe lëndë të tjera ushqyese që mbështesin shëndetin e lëkurës dhe kyçeve. Vezët përmbajnë gjithashtu squfur, i cili është i nevojshëm për prodhimin e kolagjenit.
Peshq dhe fruta deti. Peshqit, veçanërisht salmoni dhe toni, përmbajnë nivele të larta të kolagjenit në lëkurën dhe luspat e tyre. Kolagjeni detar absorbohet më lehtë për shkak të madhësisë më të vogël të grimcave në krahasim me kolagjenin nga burime të tjera.
Hudhra. Hudhra përmban squfur, i cili është i nevojshëm për prodhimin e kolagjenit. Ai gjithashtu përmban taurinë dhe acid lipoik, të cilët ndihmojnë në rivendosjen e fibrave të dëmtuara të kolagjenit.
Agrume dhe fruta. Edhe pse agrumet nuk përmbajnë kolagjen, ato janë të pasura me vitaminë C, e cila është vendimtare për sintezën e kolagjenit në trup. Vitamina C ndihmon në lidhjen e aminoacideve prolinë dhe lizinë në fibrat e kolagjenit.
Fruta si luleshtrydhet, boronicat dhe mjedrat janë gjithashtu të pasura me vitaminë C dhe antioksidantë, të cilët mbrojnë fibrat e kolagjenit nga dëmtimi i shkaktuar nga radikalet e lira.
Fruta arrore dhe fara. Frutat arore dhe farat, veçanërisht bajamet, farat e kungullit dhe farat çia, përmbajnë zink dhe bakër, minerale që janë thelbësore për prodhimin e kolagjenit.
Perime jeshile të errëta. Të pasura me vitaminë C, perimet jeshile të errëta si spinaqi dhe lakra jeshile mund të nxisin prodhimin e kolagjenit. Ndihmon në ruajtjen e barrierës së lëkurës, ruajtjen e lagështirës, mbushjen e rrudhave dhe zbehjen e shenjave të akneve.
Fasule. Fasulja është ushqim me shumë proteina që shpesh përmban lizinë, një nga aminoacidet e nevojshme për sintezën e kolagjenit. Gjithashtu edhe bishtajat janë të pasura me lëndë ushqyese të nevojshme për prodhimin e kolagjenit.
Rekomandohet të keni të paktën një vakt të pasur me kolagjen në menynë tuaj çdo ditë. Shmangni konsumin e tepërt të sheqerit dhe pini shumë ujë pasi hidratimi është çelësi për ruajtjen e lëkurës dhe indit lidhës të shëndetshëm
Monika Velinova, nutricionist, inxh. dpl. – teknologe ushqimi