CIGARET DHE SHËNDETI JUAJ: ÇFARË I SHKAKTOJNË ORGANIZMIT?
Pirja e duhanit çdo ditë nuk është vetëm shprehi, por është një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin tuaj. Edhe pse shumë njerëz e dinë tashmë lidhjen ndërmjet cigareve dhe kancerit të mushkërive, e vërteta është se efektet e pirjes së duhanit janë shumë më të gjera dhe më të thella.
Në “Srce – Qendra për Sëmundje të Brendshme”, çdo ditë takojmë pacientë që vuajnë nga pasojat e shkaktuara nga pirja afatgjatë e duhanit. Prandaj, është koha t’ju kujtojmë përsëri, çdo cigare e ndezur lë gjurmë.

SI NDIKON PIRJA E DUHANIT MBI ORGANIZMIN
Pirja e duhanit është një nga faktorët kryesorë dhe plotësisht të parandalueshëm të rrezikut për sëmundje të shumta kronike. Thithja e tymit të cigares e ekspozon trupin ndaj mbi 7,000 kimikateve, nga të cilat të paktën 70 prej tyre janë të konfirmuara si kancerogjene.
Efektet e pirjes së duhanit nuk janë të izoluara vetëm në sistemin e frymëmarrjes, ato kanë karakter sistemik dhe ndikojnë në çdo sistem organesh në trupin e njeriut.
SISTEMI KARDIOVASKULAR
Nikotina stimulon gjëndrën mbiveshkore dhe shkakton çlirimin e adrenalinës, e cila çon në vazokonstriksion (ngushtim të enëve të gjakut), takikardi dhe rritje të presionit të gjakut.
Në të njëjtën kohë, monoksidi i karbonit (CO), i cili thithet me çdo cigare, lidhet me hemoglobinën me afinitet më të madh sesa oksigjeni, duke zvogëluar oksigjenimin e indeve.
Me kalimin e kohës, këta faktorë çojnë në:
- ateroskleroza (trashje e mureve të arterieve),
- rrezik i shtuar i sëmundjes koronare të zemrës,
- infarkt miokardi,
- goditje në tru,
- sëmundje arteriale periferike.
SISTEMI I FRYMËMARRJES
Mushkëritë janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj efekteve toksike të tymit, i cili shkakton inflamacion kronik, degjenerim dhe humbje të elasticitetit të alveolave.
Sëmundjet më të shpeshta te duhanpirësit janë:
Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Përfshin bronkitin kronik dhe emfizemën. Pacientët kanë kapacitet të reduktuar të ventilimit, vështirësi në frymëmarrje dhe oksigjenim të reduktuar të trupit.
Kanceri i mushkërive. Pirja e duhanit është përgjegjëse për rreth 85–90% të rasteve të kancerit të mushkërive.
SISTEMI NERVOR QENDROR
Nikotina kalon lehtësisht barrierën hemato-encefalike dhe vepron në sistemin dopaminergjik, duke shkaktuar ndjenjë kënaqësie dhe varësie.
Stimulimi i zgjatur i këtyre receptorëve çon në:
- formim i varësisë psikologjike dhe fizike,
- ndryshime në gjendjen emocionale (ankthi, depresioni),
- dëmtim kongitiv dhe përpunim i ngadaltë i informacionit.
SISTEMI TRETËS DHE GASTROINTESTINAL
Cigaret shtojnë rrezikun nga:
- gastrit dhe ulçerë peptike për shkak të rritjes së sekretimit të acidit gastrik dhe mbrojtjes së dobësuar të mukozës,
- kanceri i ezofagut, stomakut, pankreasit dhe zorrës së trashë,
- çrregullime në absorbimin e lëndëve ushqyese.
SISTEMI RIPRODHUES
Te gratë, pirja e duhanit mund të çojë në:
- çrregullime hormonale,
- pjellori e reduktuar,
- rrezik i shtuar i aborteve dhe lindjes së parakohshme.
Te burrat, janë evidentuar:
- numër dhe lëvizshmëri e reduktuar e spermës,
- rrezik i shtuar i disfunksionit erektil.
SISTEMI IMUNOLOGJIK
Ekspozimi kronik ndaj nikotinës dhe toksinave të tjera dëmton përgjigjen e sistemit imunologjik:
- zvogëlon funksionin e qelizave të bardha të gjakut,
- rrit ndjeshmërinë ndaj infeksioneve,
- nxit zhvillimin e gjendjeve autoimune
SISTEMI I LËKURËS, ORAL DHE MUSKULOSKELETOR
Pirja e duhanit përshpejton plakjen biologjike përmes stresit oksidativ:
- lëkura bëhet e thatë, me humbje të tonit dhe shfaqje të rrudhave të parakohshme,
- rritet rreziku i sëmundjes periodontale, humbjes së dhëmbëve dhe erës së keqe të gojës,
- dendësia e kockave zvogëlohet, duke rritur rrezikun e osteoporozës dhe frakturave.
EFEKTET E DËMSHME TË PIRJES SË DUHANIT JANË MULTISISTEMIKE, KUMULATIVE DHE PROGRESIVE
Sa më gjatë të pini duhan, aq më të mëdha janë gjasat e dëmtimit të pakthyeshëm. Lënia e duhanit, edhe pas shumë viteve të pirjes së duhanit, ul ndjeshëm rrezikun e ndërlikimeve më serioze dhe i lejon trupit të rigjenerohet.
Në “SRCE”– Qendra për Sëmundje të Brendshme, ofrojmë:
- ekzaminime kardiologjike dhe pulmonologjike,
- teste laboratorike për diagnozë të hershme,
- mbështetje ushqyese dhe psikologjike për lënien e duhanit