10 PROBLEMET MË TË SHPESHTA SHËNDETËSORE NGA KONSUMIMI I TEPËRT DHE AFATGJATË I ALKOOLIT

Konsumi kronik i alkoolit mund të ketë pasoja të rrezikshme për shëndetin, dhe ja çfarë shkakton më shpesh.

konsumimi kronik i alkoolit

SËMUNDJET E MËLÇISË

Pjesa më e madhe e metabolizmit të alkoolit zhvillohet në mëlçi, prandaj mëlçia është veçanërisht e ekspozuar ndaj efekteve toksike të alkoolit. Sëmundja alkoolike e mëlçisë varet kryesisht nga sasia dhe kohëzgjatja e konsumimit të alkoolit.

Të paktën 90% e njerëzve që konsumojnë alkool për një kohë të gjatë do të zhvillojnë mëlçi yndyrore alkoolike, e cila është shenjë e hershme e konsumit të tepërt të alkoolit. Alkoolistët mund të preken gjithashtu nga inflamacioni (hepatiti alkoolik), i cili mund të shkaktojë dhembje të indeve. Gjatë një periudhe prej disa vitesh deri në disa dekada, vragat mund ta mbulojnë plotësisht mëlçinë (cirroza e mëlçisë).

Rreth 40% e rasteve të hepatitit alkoolik do të përparojnë në cirrozë të mëlçisë. Nëse mëlçia nuk mund të kryejë funksionet e saj, kjo do të çojë në dështim të shumëfishtë të organeve, dhe kështu në vdekje.

Fatkeqësisht, për ata që zhvillojnë sëmundje të mëlçisë, simptomat shpesh shfaqen vetëm pasi të jetë shkaktuar dëmtim shumë i madh.

PANKREATITI

Konsumi i tepërt i alkoolit mund të çojë në pankreatit (inflamacioni i pankreasit) i cili shpesh kërkon shtrim në spital. Inflamacioni ka të ngjarë të lidhet me aktivizimin e parakohshëm të enzimave pankreatike dhe ekspozimin kronik ndaj acetaldehidës.

KANCERI

Konsumi kronik i alkoolit mund të kontribuojë në rrezikun e zhvillimit të llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë kancerin e zgavrës orale, ezofagut, laringut, stomakut, mëlçisë, zorrës së trashë, rektumit dhe gjirit. Përdorimi i njëkohshëm i duhanit dhe alkoolit rrit më tej rrezikun e zhvillimit të kancerit.

ÇRREGULLIME DIGJESTIVE DHE ULÇERA 

Pirja e alkoolit mund të shkaktojë ulçerë në stomak, refluks, urth dhe inflamacion të mukozës së stomakut (gastrit). Dëmtimi i sistemit tretës mund të çojë në gjakderdhje të brendshme nga venat me variçe në ezofag. Alkooli gjithashtu pengon sekretimin e acidit të stomakut, i cili mund të vonojë zbrazjen e stomakut dhe gjithashtu mund të prishë lëvizjet e muskujve në të gjithë gjatësinë e zorrëve.

DISFUNKSIONI I SISTEMIT IMUNITAR

Konsumimi i tepërt i alkoolit dobëson sistemin imunitar, duke e bërë trupin më të prekshëm ndaj sëmundjeve infektive si pneumonia dhe tuberkulozi. Alkooli shkakton rënien e qelizave të bardha të gjakut. Çdo episod i pirjes së alkoolit zvogëlon aftësinë e trupit për t’u mbrojtur kundër infeksionit deri në 24 orë pas ekspozimit fizik ndaj alkoolit.

DËMTIME TË TRURIT

Alkooli ndryshon receptorët dhe neurotransmetuesit e trurit dhe dëmton funksionet njohëse, gjendjen emocionale, emocionet dhe reagimet. Meqenëse alkooli ka efekt depresiv mbi sistemin nervor qendror, ai shkakton vështirësi në përpunimin e informacionit. Alkooli ndikon në receptorët e serotoninës dhe GABA-s dhe mund të zvogëlojë frikën normale të individit nga pasojat e veprimeve të tij, duke kontribuar në marrjen e rreziqeve ose sjelljen e dhunshme.

Alkooli, gjithashtu, dëmton koordinimin dhe ekuilibrin motorik dhe shpesh çon në lëndime. Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të çojë në humbje të vetëdijes ose në pamundësi për të kujtuar ngjarjet. Pirja e tepërt e alkoolit për një kohë të gjatë mund të përshpejtojë procesin normal të plakjes së trurit, duke rezultuar në demencë.

KEQUSHQYERJA DHE MUNGESA E VITAMINAVE

Pirja e alkoolit çon në kequshqyerje dhe mungesë vitaminash. Individët që pinë alkool në mënyrë aktive shpesh ushqehen keq. Edhe nëse ai pi dhe ushqehet shëndetshëm, lëndët ushqyese nuk zbërthehen siç duhet dhe nuk absorbohen në mënyrë të mjaftueshme nga trakti tretës në gjak. Alkooli gjithashtu mund të prishë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe të shkaktojë gjakderdhje nga ulçera e stomakut, gjë që mund të çojë në zhvillimin e anemisë.

 OSTEOPOROZA

Alkooli mund të ndikojë në mënyrë dramatike në shëndetin e kockave dhe rrit rrezikun e zhvillimit të osteoporozës (humbja e masës së kockave) më vonë në jetë. Osteoporoza rrit rrezikun nga frakturat, veçanërisht të kërdhokullës.

Alkooli gjithashtu prish ekuilibrin e kalciumit, vitaminës D, prodhimit dhe niveleve të kortizolit, duke shkaktuar kështu dobësimin e strukturës së kockave. Studimi tregoi se gratë ndërmjet moshës 67 dhe 90 vjeç që konsumonin tepër alkool kishin humbje më të madhe të masës kockore sesa gratë që nuk pinin.

SËMUNDJET E ZEMRËS

Pirja e alkoolit shkakton çlirimin e disa hormoneve të stresit që ngushtojnë enët e gjakut dhe çojnë në presion të lartë të gjakut. Konsumi i tepërt i alkoolit shoqërohet me ndërlikime të shumta kardiovaskulare; duke përfshirë kardiomiopatinë (dobësimin e muskulit të zemrës), aritmitë (rrahje të çrregullta të zemrës), atakun në zemër dhe vdekjen e papritur kardiake.

AKSIDENTE DHE LËNDIME

Pirja e alkoolit në çfarëdolloj sasie është e lidhur me aksidente automobilistike, aksidente me varka, aksidente me biçikletë, rrëzime, lëndime në punë, vetëvrasje dhe vrasje. Aftësia për të drejtuar automjetin dëmtohet vetëm me një gotë alkool. Alkooli është ende shkaku kryesor i lëndimeve.

Dr. Matej Nikolov, Specialist-mjekësi e brendshme

Search

+