KËMBË DIABETIKE
Pjesa e parë
Diabeti përshpejton bllokimin, ose arteriosklerozën, e enëve të gjakut në tru, sy, zemër, veshka dhe këmbë.

Pacientët me diabet të tipit 1 (të rinjtë që marrin insulinë) kanë më shumë gjasa të kenë dëmtime në enët e vogla të gjakut (mikroangiopati) në sy dhe veshka. Ata me diabet të tipit 2 (të moshuarit – zakonisht marrin tableta) kanë më shumë gjasa të kenë dëmtime në enët e mëdha të gjakut (makroangiopati) në tru, zemër dhe këmbë.
Nervat janë më të ndjeshëm ndaj mungesës së gjakut në këmbë, prandaj sëmundja fillon me simptoma të ndjesisë së shpimit të gjilpërave, djegies dhe dhimbjes në thembra dhe këmbë. Simptomat janë më të theksuara kur pacienti është në qetësi, domethënë gjatë kohës së pushimit dhe para gjumit. Kjo quhet neuropati diabetike. Kur këmba bëhet e zbehtë dhe gishtat janë të ftohtë, rrjedhja e gjakut në enët e gjakut zvogëlohet dhe kjo gjendje përshkruhet si angiopati diabetike.
Tek shumica e pacientëve, pamja klinike zakonisht është e përzier, përkatësisht, ndjesi shpimi të gjilpërave, dhe dhimbje janë të pranishme së bashku me gishta të ftohtë dhe këmbë të zbehta, dhe përdoret termi mjekësor Angioneuropathia diabetica. Simptomat janë më të theksuara në gishtat e këmbëve, dhe kjo gjendje quhet edhe “sindroma e këmbës diabetike”.
Pra, këmba diabetike është dëmtim i arterieve dhe nervave të gishtërinjve dhe të këmbëve, dhe shkaktohet nga nivelet e larta të sheqerit në gjak. Kur ngushtimi i enëve të gjakut përparon përgjatë pjesës së poshtme të këmbës, dhe veçanërisht pjesës së sipërme të këmbës, dhimbja shfaqet gjatë ecjes e ashtuquajtur klaudikacion. Dhimbja e klaudikacionit shfaqet nëse më shumë se 50% e diametrit të enës së gjakut është ngushtuar. Deri në këtë ngushtim, trupi kompenson vetë problemet me rrjedhjen e gjakut, sepse përfshin enët e gjakut përreth me kalibër të vogël, të quajtura kolaterale, dhe për këtë arsye pacienti praktikisht nuk ka simptoma.
Në parandalim gjëja më e rëndësishme është zbulimi i hershëm i ngushtimit të enëve të gjakut që është më pak se 50%, sepse me trajtimin në kohë në këtë fazë, sëmundja mund të kontrollohet në planin afatgjatë, domethënë, përparimi i saj drejt simptomave klinike dhe gangrenës mund të parandalohet.
Kjo bëhet me sonografi vaskulare dopler. Ky është ekzaminim standard me ultratinguj që rekomandohet të kryhet një herë në vit tek të gjithë pacientët me diabet. Kjo teknikë rekomandohet nga shoqatat Botërore, Evropiane dhe Amerikane për kontrollin dhe trajtimin e diabetit. Zbulimi i hershëm dhe trajtimi i duhur i këmbës diabetike mbron nga përparimi i sëmundjes dhe ndërlikimet e saj më të rënda, të cilat janë gangrena dhe amputimi i këmbëve. Trajtimi konservativ konsiston në kontrollin e faktorëve të rrezikut, kryesisht rregullimin e sheqerit, yndyrës dhe tensionit të gjakut, si dhe përdorimin e medikamenteve që zvogëlojnë ngjitjen e trombociteve dhe yndyrës në murin e enëve të gjakut. Këto medikamente quhen agjentë antitrombocitikë, dhe përfaqësuesi i tyre më i njohur është Aspirina.
Tek pacientët që kanë ndjesi shpimi gjilpërash, djegie dhe mpirje në këmbë (neuropati), rekomandohet gjithashtu të kontrollohet funksioni i nervave në këmbë. Kjo bëhet duke përdorur teste për të vlerësuar prekjen e lehtë (monofilament 10 gramësh), shpimin me gjilpërë dhe ndjeshmërinë ndaj dridhjeve (bioteziometër).
Studimet klinike të kryera nga institucionet më të njohura të diabetit kanë përcaktuar se këto ekzaminime sistematike njëvjeçare të enëve të gjakut tek pacientët diabetikë zvogëlojnë numrin e amputimeve të këmbëve me 50% në 10 vitet e ardhshme. Kjo është një procedurë standarde parandaluese për pacientët diabetikë, e cila zbatohet nga kompanitë private të sigurimeve shëndetësore, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe SHBA. Nëse pacienti nuk i nënshtrohet testimit brenda periudhës së rekomanduar, sigurimi nuk mbulon shpenzimet e trajtimit të komplikimeve, kryesisht trajtimin e plagëve të hapura dhe gangrenës së këmbëve.
Mesazhi i tyre është:
Pacientë me diabet,
Investoni në shëndetin e këmbëve tuaja. Monitoroni rregullisht gjendjen e enëve të gjakut dhe nervave në këmbë, duke mbrojtur kështu veten nga komplikimet e mundshme (gangrena) që çojnë në paaftësi.

Ky material informues është pjesë e kujdesit që Klinika “Srce” ofron për pacientët e saj me diabet.
Materiali u përgatit nga Prof. Dr. Slavço Toshev – kardianogjiolog