SËMUNDJET E ZEMRËS: 7 DALLIME NDËRMJET BURRAVE DHE GRAVE

Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekshmërisë në mbarë botën. Në vitin 2017, sëmundjet kardiovaskulare ishin shkaku i 18.6 milionë vdekjeve. Por a e dinit se burrat dhe gratë i përjetojnë ato ndryshe?

Kuptimi i këtyre dallimeve mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm dhe trajtimin e duhur. Ja shtatë dallimet kryesore midis burrave dhe grave kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës.

Sëmundjet e zemrës

FAKTORËT E RREZIKUT 

Ndërsa disa faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës janë të përbashkët për burrat dhe gratë, si tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe pirja e duhanit, disa janë më të theksuar ose kanë ndikim më të madh në njërën gjini sesa në tjetrën.

Për shembull, diabeti paraqet një rrezik më të madh për sëmundjet e zemrës te femrat sesa te meshkujt. Aq tepër, kushte të tilla si sindroma e vezores policistike (PCOS) dhe menopauza rrisin rrezikun veçanërisht për gratë.

SIMPTOMAT E ATAKUT KARDIAK

Simptomat e atakut kardiak mund të ndryshojnë ndjeshëm midis burrave dhe grave. Meshkujt shpesh përjetojnë simptomën klasike të dhimbjes së gjoksit, e cila mund të zgjerohet në krah, shpatull ose nofull.

Nga ana tjetër, gratë kanë më shpesh simptoma jo klasike si gulçim, të përziera, të vjella, dhimbje në shpinë ose nofulla dhe lodhje ekstreme. Këto simptoma atipike mund të çojnë në vonesë në kërkimin e trajtimit.

SFIDA DIAGNOSTIKUESE 

Për shkak të ndryshimit në simptoma, sëmundjet e zemrës te gratë shpesh nuk diagnostikohen sa duhet. Te gratë ka më shumë gjasa që sëmundjet e zemrës të diagnostikohen gabimisht si ankth ose stres. Kjo sfidë diagnostike thekson rëndësinë që punonjësit e shëndetësisë të jenë të vetëdijshëm për shfaqjet e ndryshme të sëmundjeve të zemrës te gratë.

REAGIMI NDAJ TRAJTIMIT

Burrat dhe gratë mund të reagojnë ndryshe ndaj disa trajtimeve të sëmundjeve të zemrës. Për shembull, gratë kanë më pak gjasa të marrin lloje të caktuara të barnave për zemër si statinat dhe beta-bllokuesit, edhe pse këto janë trajtime standarde për sëmundjet e zemrës.

 

Për më tepër, gratë mund të kenë reagime të ndryshme ndaj ndërhyrjeve të tilla si angioplastika ose operacioni bypass.

ROLI I HORMONEVE 

Hormonet luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e zemrës. Estrogjeni, hormoni kryesor te femrat, siguron deri në një shkallë të caktuar mbrojtje nga sëmundjet e zemrës, prandaj femrat zakonisht zhvillojnë sëmundje të zemrës rreth 10 vjet më vonë se meshkujt. Megjithatë, ky rol mbrojtës zvogëlohet pas menopauzës, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës te gratë pas menopauzës.

NDIKIMI PSIKOLOGJIK 

Sëmundjet e zemrës mund të kenë ndikim të ndjeshëm psikologjik dhe ky ndikim mund të ndryshojë ndërmjet burrave dhe grave. Gratë kanë më shumë gjasa të përjetojnë ankth dhe depresion pas një ataku kardiak.

Këto gjendje psikologjike mund të ndikojnë në rikuperimin dhe respektimin e planeve të trajtimit, duke e bërë po aq të rëndësishme trajtimin e shëndetit mendor, përpos shëndetit fizik në menaxhimin e sëmundjeve të zemrës.

MASA PARANDALUESE 

Si burrat ashtu edhe gratë mund të përfitojnë nga ndryshimet e stilit të jetesës për të zvogëluar rrezikun nga sëmundjet e zemrës, por disa masa parandaluese mund të jenë më kritike për njërën gjini.

Për shembull, menaxhimi i diabetit dhe tensionit të gjakut është veçanërisht i rëndësishëm për gratë. Aktiviteti i rregullt fizik, ushqimi i shëndetshëm, mbajtja e peshës së shëndetshme trupore dhe shmangia e pirjes së duhanit janë thelbësore për të gjithë, por ndërgjegjësimi për rreziqet specifike gjinore mund të përmirësojë strategjitë parandaluese.

KRYENI VIZITË KARDIOVASKULARE NË SRCE – QENDRA PËR SËMUNDJE TË BRENDSHME

Të kuptuarit e dallimeve në mënyrën se si sëmundjet e zemrës prekin burrat dhe gratë është çelësi për diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin efektiv. Njohja se simptomat, faktorët e rrezikut dhe reagimet ndaj trajtimit mund të ndryshojnë midis gjinive, ndihmon në përshtatjen e qasjeve të kujdesit shëndetësor për të përmirësuar rezultatet si për burrat ashtu edhe për gratë. Nëse keni shqetësime për sëmundjet e zemrës, konsultohuni me ekipin tonë mjekësor për këshilla dhe kujdes të personalizuar.

Srce – Qendra për Sëmundje të Brendshme , jemi të përgatitur të ofrojmë vlerësime gjithëpërfshirëse të shëndetit të zemrës dhe plane trajtimi të personalizuara. Na kontaktoni për të caktuar vizitë dhe për të ndërmarrë hapa proaktivë drejt shëndetit më të mirë të zemrës.

Search

+