CILAT JANË SIMPTOMAT E HERSHME TË DIABETIT DHE SI TA ZBULONI NË KOHË?
Në Evropë, 1 nga 11 të rritur ka diabet dhe numri i të sëmurëve pritet të rritet në 69 milionë deri në vitin 2045. Simptomat e diabetit mund të ndryshojnë nga individi në individ, dhe ka nga ata që nuk ndjejnë simptoma përpara se të diagnostikohen me këtë sëmundje. Në Maqedoni diabeti zbulohet mesatarisht 3 deri në 5 vjet pas fillimit të sëmundjes. Megjithatë, ka disa simptoma që vërehen shpesh tek njerëzit me diabet. Simptoma të tilla janë etja e shtuar, nevoja e shtuar për të urinuar, ndjenja e vazhdueshme e lodhjes dhe humbja e papritur e peshës.
Simptomat e diabetit shfaqen sepse trupi nuk i përdor sheqernat e gëlltitura si burim energjie dhe ato mbeten në gjak tërësisht ose pjesërisht. Për të ulur nivelin e sheqerit në gjak, trupi përpiqet të largojë glukozën e tepërt përmes urinës, gjë e cila rrit nevojën për të urinuar dhe shkakton rritje të etjes.

NJOHJA E SIMPTOMAVE TË HERSHME TË DIABETIT
Simptomat e diabetit ndryshojnë në varësi të llojit të sëmundjes, por disa simptoma tipike janë:
- Urinim i shpeshtë. Urinimi i shpeshtë është një nga treguesit kryesorë të diabetit. Kur nivelet e sheqerit në gjak janë të larta, veshkat prodhojnë më shumë urinë në mënyrë që të pastrojnë trupin nga sheqeri i tepërt.
- Etje e shtuar dhe goja e thatë. Etja e shtuar dhe goja e thatë shoqërohen me nevojën e shpeshtë për të urinuar. Njerëzit shpesh e lidhin këtë simptomë me motin e nxehtë ose marrjen e pamjaftueshme të ujit. Por nëse etja është konstante dhe kombinohet me urinim të shpeshtë, atëherë trupi juaj mund t’ju thotë se nuk po prodhoni mjaftueshëm insulinë.
- Lëkurë e thatë. Njerëzit që përballen me diabet kanë vështirësi në ruajtjen e lagështisë së lëkurës. Nëse vëreni se lëkura juaj është e thatë, veçanërisht këmbët tuaja, kini kujdes edhe për simptoma të tjera të diabetit në mënyrë që të mund ta dalloni sëmundjen.
- Ulja e aftësisë për shërimin e plagëve të lëkurës. Nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të shëruar plagët e lëkurës. Kjo është veçanërisht e rrezikshme nëse nuk jeni diagnostikuar ende me diabet, pasi diabeti mund të shkaktojë dëmtime nervore. Kur nervat dëmtohen, ka më pak gjasa të ndjeni prerje, gërvishtje ose plagë të tjera, duke rritur mundësinë e zhvillimit të infeksionit në vendin e prekur.
- Pamje e paqartë ose probleme me sy. Pamja e paqartë, humbja e shikimit ose shikimi i njollave të zeza janë disa nga simptomat e hershme të diabetit. Megjithatë, këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga çrregullimi i shikimit, ndaj është mirë që të konsultoheni me mjekun specialist.
- Humbje e papritur e peshës. Humbja e papritur e peshës, veçanërisht kur nuk jeni në dietë, është një tregues se diçka nuk shkon me shëndetin tuaj. Bëni teste shtesë për të gjetur shkakun që mund të jetë ndonjëherë fillimi i diabetit.
SIMPTOMA SHTESË PËR LLOJE TË NDRYSHME DIABETI
Përveç simptomave të zakonshme të diabetit, mund të shfaqen edhe simptoma të tjera në varësi të llojit të sëmundjes.
DIABETI TIP 1 SIMPTOMA
Simptomat e diabetit të tipit 1 mund të zhvillohen në vetëm disa javë ose muaj. Simptoma shtesë të diabetit mund të jenë:
- Të përziera
- Vjellje
- Dhimbje stomaku
- Frymëmarrje që mban erë acetoni
- Frymëmarrje e rënduar
Këto simptoma shoqërohen me një ndërlikim diabetik të quajtur ketoacidozë dhe mund të jenë kërcënuese për jetën.
DIABETI TIP 2 SIMPTOMA
Zakonisht duhen disa vite që të zhvillohen simptomat e diabetit të tipit 2. Disa njerëz mund të mos vërejnë asnjë simptomë. Duke qenë se ato nuk janë aq të papritura dhe intensive sa te pacientët me diabet të tipit 1, është shumë e rëndësishme të njihen faktorët e rrezikut që mund të ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Faktorë të tillë janë
- Nivel i ngritur i sheqerit në gjak ose predibet
- Rritja e peshës trupore
- Sëmundje të mëparshme në familje
- Aktivitet fizik i pamjaftueshëm
- Diabet gestacional i diagnostikuar
SIMPTOMAT E DIABETIT GESTACIONAL
Diabeti gestacional zakonisht nuk shoqërohet me simptoma. Nëse jeni shtatzënë, mjeku juaj duhet t’ju testojë për diabetin midis javës së 24 dhe 28 të shtatzënisë, për zbulimin e hershëm të sëmundjes. Diabeti gestacional mund të jetë tregues i zhvillimit të diabetit të tipit 2 më vonë në jetë.
SI TË ZBULONI DIABETIN?
Diabeti diagnostikohet duke përdorur teste që përcaktojnë nivelin e sheqerit në gjak. Ekzistojnë katër lloje të testeve:
- Testi i glukozës në gjak në stomak të zbrazët. Gjatë këtij lloji të testimit, pacienti nuk duhet të hajë ose pijë asgjë përveç ujit për 8 orë para testit. Në këtë mënyrë mjeku juaj do të jetë në gjendje të shohë nivelin tuaj fillestar të sheqerit në gjak që nuk është i çrregulluar nga marrja e ushqimit.
- Testi i rastësishëm i glukozës në gjak. Ky test mund të kryhet në çdo kohë, pavarësisht nëse keni ngrënë apo jo.
- Testi HbA1C ose testi i hemoglobinës së glikoziluar. Ky test kryhet me një aparat të posaçëm që ndihmon në përcaktimin e sheqerit në gjak për tre muaj, përkatësisht nivelin mesatar të glukozës gjatë tre muajve të fundit.
- Testi oral i tolerancës ndaj glukozës. Ky test përdoret për të përcaktuar sheqerin latent ose të fshehur dhe për të përcaktuar diabetin gestacional ose diabetin tek gratë shtatzëna.
Një pacient diagnostikohet me diabet kur glicemia e matur dy herë është mbi 7.0mmol/L.
SI TË KONTROLLONI DIABETIN?
Monitorimi i nivelit të sheqerit në gjak është i rëndësishëm për të përcaktuar nëse plani juaj aktual i trajtimit është efektiv. Mbi bazën e rezultateve, mjeku juaj do të përcaktojë terapinë e duhur për të sjellë sheqerin në nivel të pranueshëm për ju. Diabeti zakonisht kontrollohet me medikamente orale të diabetit dhe injeksione të insulinës.
Për të mbajtur nivel optimal të sheqerit në gjak dhe për të menaxhuar diabetin, gjëja më e rëndësishme është të ndiqni dietë të shëndetshme të përgatitur nga një nutricionist dhe mjek specialist, si dhe aktivitet të rregullt fizik që do të ulë rezistencën e trupit ndaj insulinës.
DIETA SI PREVENTIVË E DIABETIT : PËRGATITJA E REGJIMIT TË USHQIMIT NË “SRCE” – QENDRA PËR SËMUNDJE TË BRENDSHME
Obeziteti konsiderohet si një nga shkaqet më të zakonshme të diabetit të tipit 2. Prandaj, reduktimi i peshës është shumë i rëndësishëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje. Në Srce – Qendra për Sëmundje të Brendshme , ne përgatisim plan të personalizuar ushqimi, të krijuar nga nutricionisti dhe mjeku specialist, i cili do t’ju ndihmojë në parandalimin e diabetit, si dhe menaxhimin e tij.
Nëse ndjeni ndonjë nga simptomat e hershme të mësipërme të diabetit, caktoni termin për vizitë dhe testim, i cili do t’ju ndihmojë në zbulimin e hershëm dhe kontrollin e suksesshëm të sëmundjes.