ÇFARË ËSHTË OBEZITETI DHE SI NDIKOJNË USHQIMI DHE SHPREHITË E SHËNDETSHME NË ARRITJEN E PESHËS IDEALE?
Kur flasim për obezitetin, nuk kemi parasysh perceptimin tonë për pamjen e trupit. Obeziteti është një sëmundje komplekse dhe kronike e akumulimit të tepërt të yndyrnave në trup. Në Maqedoni, pritet që deri në fund të vitit 2024, 24.01% e popullsisë të përballet me këtë sëmundje. Reflektimi i pasqyrës nuk është masë për obezitetin. Ka disa mënyra për ta përcaktuar atë, dhe një nga më të zakonshmet është përcaktimi i indeksit të masës trupore (IMT) ose body mass index (BMI).
IMT-ja është masë për yndyrnat e trupit në bazë të në gjatësisë dhe peshës suaj. Ky indeks është i aplikueshëm për burrat dhe gratë e të gjitha moshave. Kur indeksi i masës trupore është 30 ose më shumë, atëherë flasim për obezitet. Vazhdoni të lexoni për të mësuar rreth llojeve të ndryshme të obezitetit, çfarë mund të shkaktojë ai dhe, se si ushqimi dhe shprehitë e shëndetshme mund t’ju ndihmojnë të humbni peshë dhe të përmirësoni shëndetin tuaj.

LLOJET E OBEZITETIT
Ekzistojnë përjashtime kur indeksi i llogaritur i masës trupore mund të jetë më i lartë dhe të mos bëhet fjalë për obezitet, ose më i ulët, e megjithatë të bëhet fjalë për obezitet. Përjashtime të tilla janë bodibilderët ose atletët të cilët kanë peshë më të lartë të muskujve dhe për rrjedhojë rezultat më të lartë të IMT-së, ose njerëz me peshë normale, por me përqindje të lartë të yndyrnave në krahasim me muskujt. Prandaj, rekomandohet gjithmonë të konsultoheni me person profesionist i cili do të jetë në gjendje të përcaktojë nëse keni një nga dy llojet e obezitetit:
- Lloji abdominal i obezitetit. Ky lloj obeziteti quhet edhe tip qendror ose android. Nëse i përkisni grupit të njerëzve me llojin abdominal, atëherë indi dhjamor akumulohet në zonën e barkut dhe trupi juaj merr formën e mollës.
- Lloji gjinoid i obezitetit. Në këtë lloj obeziteti, indi dhjamor akumulohet nën lëkurë, në pjesën e mbigjurit, të kofshëve dhe kërdhokullës. Në këtë rast, trupi merr formën e dardhës.
Indi dhjamor qendror i akumuluar, i cili ndodhet rreth dhe në organet në zgavrën e barkut dhe kraharorit, mendohet se ka efekte më të mëdha negative shëndetësore sesa indi dhjamor nën lëkurë. Gjatë përcaktimit të shkallës së indit dhjamor në këtë zonë, është e rëndësishme të matet perimetri i belit. Për femrat, perimetri nuk duhet të tejkalojë 80 cm, ndërsa për meshkujt duhet të jetë më pak se 94 cm.
PROBLEME TË SHKAKTUARA NGA OBEZITETI
Rritja e masës trupore e shkaktuar nga yndyrnat e akumuluara mund të ndryshojë mënyrën e funksionimit të trupit. Këto ndryshime janë progresive dhe mund të përkeqësohen me kalimin e kohës. Çrregullimet më të shpeshta janë:
- Rezistenca ndaj insulinës e cila çon drejt shfaqjes së sëmundjes së diabetit tip 2.
- Tension i lartë gjaku dhe probleme të tjera të cilat shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare si infarkti i miokardit dhe goditje në tru.
- Çrregullim i funksioneve seksuale të cilat mund të çojnë edhe në infertilitet.
- Probleme psikologjike dhe emocionale.
USHQIMI DHE AKTIVITETI FIZIK SI BAZË PËR HUMBJE TË SHËNDETSHME PESHE
Obeziteti mund të shkaktohet nga faktorë gjenetikë dhe mjedisorë, ushqimi jo adekuat dhe aktivitet fizik i reduktuar. Faktorët gjenetikë nuk mund t’i ndryshojmë, por ajo mbi të cilën mund të ndikojmë është ndryshimi i shprehive të të ushqyerit me plan ushqimi dhe rritja e aktivitetit fizik.
PLANI I USHQIMIT
Plani i ushqimit përcaktohet duke përdorur vlerësimin e statusit metabolik, kontrollin e përbërjes së trupit dhe analizën e intolerancës ushqimore. Ky lloj ushqimi bazohet në nevojat individuale sipas parametrave të marra, me qëllim arritjen e peshës ideale, uljen e rrezikut nga sëmundje të tjera kronike dhe arritjen e shëndetit të përgjithshëm optimal. Më e rëndësishme është të konsultoheni me mjekun ose nutricionistin tuaj se cili plan ushqimi është më i miri për ju.
Disa nga këshillat e përgjithshme për ushqim të shëndetshëm të cilat duhet t’i zbatojë secili janë:
- Shmangia e ushqimeve me kalori të lartë.
- Konsumimi në sasi të mjaftueshme i frutave dhe perimeve të freskëta.
- Shmangia e ushqimit të përpunuar në fabrika i cili nuk ka vlera të mjaftueshme ushqimore ose nuk ka fare, veçanërisht ëmbëlsirat dhe pijet e ëmbëltuara.
- Shmangia e pijeve alkoolike.
AKTIVITETI FIZIK
Aktiviteti fizik është një nga faktorët më të rëndësishëm parandalues në shfaqjen e obezitetit te të rinjtë. Nëse qendrat e fitnesit dhe palestrat nuk janë sfidë për ju, provoni aktivitet me më pak sforcim në bazë ditore. Shëtitjet në natyrë, çiklizmi, vrapimi, noti ose vallëzimi janë vetëm disa nga aktivitetet që mund të hulumtoni.
Aktiviteti fizik jo vetëm që do t’ju ndihmojë të humbni peshë, por gjithashtu do t’ju ndihmojë të ruani shëndetin e përgjithshëm të trupit dhe të zvogëloni gjasat për shfaqjen e sëmundjeve të tjera kronike.
PËRGATITJA E REGJIMIT TË USHQIMIT PËR ARRITJEN E PESHËS IDEALE:
SRCE – QENDRA PËR SËMUNDJE TË BRENDSHME
Pavarësisht se cili është shkaku i obezitetit, është e nevojshme që të bëjmë përpjekje për të mbajtur shprehi të shëndetshme që do të bëjnë ndryshime pozitive në trupin tonë. Aktiviteti fizik dhe ushqimi i rregullt dhe i shëndetshëm janë dy faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e obezitetit dhe parandalimin e komplikimeve që mund të lindin prej tij.
Në Srce – Qendra për Sëmundje të Brendshme, ne fokusohemi në nevojat individuale të çdo pacienti. Departamenti i Dietologjisë dhe Dietoterapisë drejtohet nga nutricionistë dhe specialistë të njohur, të cilët do t’ju ndihmojnë të arrini peshën ideale dhe shëndetin e përgjithshëm nëpërmjet përcaktimit të programit ushqimor.
Na kontaktoni për të caktuar vizitë dhe përgatitjen e regjimit individual të ushqimit për humbje të shëndetshme peshe.